Në fjalën e tij me ta Basha theksoi se janë 385 apartamente banimi gati për hipotekim. Basha shtoi se reduktohen 18 dokumente për marrjen e lejeve të përdorimit. Mësohet se sipërfaqja e 11 objekteve që u pajisën me leje përdorimi llogaritet në total, rreth 70.000 m2 ndërtim. “Sot ne do të japim lejet e përdorimit, për 11 objekte që përfaqësojnë 385 apartamente banimi, 385 familje të cilave deri më tani, u është mohuar e drejta e tyre e ligjshme për të pasur tapitë e shtëpive si dhe përfundimin e shpejtë të 25 objekteve të tjera që përfaqësojnë afro 1 000 apartamente banimi, pra në total mbi 1300 apo 1400 apartamente, të cilat me këto akte u hapet rrugën për një hipotekim të shpejtë dhe pajisen me tapitë, me dokumentet e regjistrimit të pasurive të tyre në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pra në Hipotekë”, tha Basha. Në këtë takim u konstatua se për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë ndërtuesve dhe për të lehtësuar sa më shumë procedurat për pajisjen me leje përdorimi, Bashkia e Tiranës ka reduktuar numrin e dokumenteve të nevojshme, për tu pajisur me këto leje. “Lajmi i mirë, është se nga 34 dokumente që duheshin deri më sot, për të përmbyllur procesin, ne e kemi thjeshtuar atë në 16 dokumente. Sigurisht nuk janë pak, por janë pothuajse gjysma e dokumenteve që kërkoheshin më parë dhe kjo është në frymën e energjisë pozitive, në frymën e re që ne si Bashki po mundohemi të injektojmë në marrëdhëniet me komunitetin e biznesit në tërësi dhe me ndërtuesit në veçanti, të thjeshtimit të burokracive, të bërjes së procesit transparent, sa më të menaxhueshëm dhe sa më efektiv”, deklaroi Basha. Më tej ai u shpreh për ndërtuesit, se Plani i Ri Urbanistik do të përfundojë brenda 6 – mujorit të parë të këtij viti dhe ky grup interesi do të jetë pjesë e konsultimeve, që do të zhvillohet për këtë plan. Nga ana e tij, kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, Avenir Kika tha se Bashkia e Tiranës është sot institucioni që kërkon të heqë pengesa dhe jo te krijoje pengesa, ndërsa Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës Maksim Muçi kërkoi përfshirjen, në mënyrë që ky partneritet të vazhojë edhe në të ardhmen. Sakaq kryetari i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka tha se Bashkia e Tiranës dhe veçanërisht Kryetari i saj, tashmë vjen, jo vetëm në rrugën e mbajtjes së premtimeve elektorale që identifikohen çdo ditë në takimet që bën me sektorë të ndryshëm të biznesit, por ajo që është për t’u evidentuar është fryma pozitive që Kryetari i Bashkisë dhe i gjithë stafi i tij kanë krijuar, jo vetëm me qytetarët e Tiranës, por edhe në sipërmarrjen dhe gjithë grupet e interesit të Tiranës.