Nenet e ndryshuara në Kodin Rrugor synojnë disiplinimin e drejtuesve të mjeteve për tejkalimin e normave të shpejtësisë, drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, mospërdorimin e rripit të sigurisë, si dhe shumë raste të tjera. Këto masa, sipas drejtuesve të policisë kanë si qëllim shmangien e aksidenteve. Sipas Kodit Rrugor, “cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/ orë dhe jo me më shumë se 20km /orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në 6 mijë lekë”. Ndërsa për ata që kalojnë kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/ orë, “ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëmijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë”. Po ashtu ndryshim ka pasur dhe gjoba për mosvendosjen e rripit të sigurimit. “Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë”, thuhet në Kodin rrugor të ndryshuar. Masat më të rënda janë sanksionuar për ata që konsumojnë pije alkoolike. “Cilido që drejton një mjet nën ndikimin e alkoolit ndëshkohet me gjobë nga dymijë e pesëqind lekë deri në shtatë mijë e pesëqind lekë. Pas verifikimit të shkeljes zbatohet masa administrative e pezullimit të lejes së drejtimit nga 6 deri në 1 vit dhe nga 1 vit deri në 2 vjet kur subjekti përsërit shkeljen brenda një viti, sipas Kodit”, thuhet në nenet e Kodit Rrugor.