Shqipëri | Danimarka do të mbështesë integrimin në BE

alt

Këtë mbështetje e konfirmoi ambasadori i Danimarkës në Tiranë Karsten Anakjaer Jensen gjatë takimit me Presidentin e Republikës Bamir Topi. “Mbretëria e Danimarkës do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian duke uruar që Shqipëria të arrijë ta marrë e ta meritojë statusin e vendit kandidat, dhe do të ishte një gjë shumë e mirë sikur kjo të ndodhte në këtë vit të njëqindtë të pavarësisë së saj”, u shpreh ambasadori danez Jensen. Në këtë suazë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë pritjes së ambasadorit, me rastin e marrjes së Presidencës së radhës të BE-së, theksoi se objektivi kryesor i politikës së jashtme shqiptare është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas Kreut të Shtetit ky objektiv reflekton dhe synon të përmbushë aspiratën e gjerë të qytetarëve shqiptarë për të qenë pjesë zyrtarisht e familjes evropiane. Kryetari i Shtetit nënvizoi se për realizimin e kësaj aspirate, duhet angazhimi maksimal i shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij dhe një bashkëpunim intensiv me Presidencën daneze dhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë.

Advertisement