Tirane – Te pavlefshme veprimet hetimore nga 6 nentori ne 6 dhjetor per Durres-Kukes

Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin e Apelit për të shpallur të pavlefshëm veprimet hetimore nga data 6 nëntor deri në 6 dhjetor të vitit të kaluar për dosjen e abuzimeve me tenderin e rrugës Durrës- Kukës. Me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme Gjykata e Lartë mori në shqyrtim kërkesën për të ligjëruar veprimet hetimore brenda këtij muaji ndaj ish zëvendësministrit të Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtorit juridik të Rrugëve Andi Toma, sikurse dhe ish-ministrit i Transporteve, Lulzim Basha, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Jashtëm. Ata akuzohen se duke shpërdoruar detyrën, kanë konsumuar shkelje ligjore të konstatuara gjatë procedurave të ndjekura për përcaktimin e subjektit, i cili ndërton rrugën Rrëshen-Kalimash, si pjesë e korridorit rrugor Durrës- Kukës-Morinë. Teliti dhe Toma bënë ankimim në Gjykatën e Faktit në Tiranë për vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme, dhe në datën 18 nëntor të vitit 2008 togat e zeza u shprehën se, “pranonin ankimin e bërë nga Armand Teliti dhe Andi Toma, me objekt ‘Kundërshtimin e vendimit të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në lidhje me zgjatjen e afatit të hetimeve të procedimit penal nr. 1, të vitit 2007, nga data 06.11.2008 deri në dt. 06.12.2008’, si edhe shfuqizimin e vendimit dt. 06.11.2008 të prokurorit pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, në lidhje me zgjatjen e afatit 1-mujor që ka të bëjë me procedimin penal nr. 1 të vitit 2007”. Prokuroria e Përgjithshme siguroi pas kësaj se, veprimet hetimore të kryera gjatë periudhës 6 nëntor- 6 dhjetor, edhe në rast se rrëzoheshin nga Gjykata, nuk kishin vlerë kyçe për ecurinë e procedimit penal. Zyrtarisht, u deklarua se prokurori i çështjes, me vendimin e tij, ka vendosur zgjatjen e afatit të hetimeve, me argumentin e vetëm të kryerjes së veprimeve hetimore, rreth konkluzioneve të aktit të ekspertimit. Por, burime konfidenciale thanë se pretendimi i organit të akuzës ishte për t’i njoftuar aktakuzën, ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i cili dyshohet të ketë abuzuar me detyrën gjatë kohës që ka drejtuar Ministrinë e Transporteve. Gjykata e argumentoi me faktin se afatet kohore, që nga data e depozitimit të aktit të ekspertimit 29.09.2008, deri në datën 06.11.2008, kanë qenë plotësisht të mjaftueshme për Prokurorinë, pasi është një periudhë relativisht e gjatë.  Beteja gjyqësore vazhdoi ne gjykatën e Apelit, ku sërish iu dha të drejtë të pandehurve ndërsa u shpallën të paligjshme veprimet hetimore, nga data 6 nëntor deri në 6 dhjetor 2008.
Advertisement