Tiranë | Kryetarja e Kuvendit bën bilacin e vitit

Kuvendi-i-Shqiperise

Kryetarja e Kuvendit theksoi se shprehet krenare për punën e Kuvendit duke nënvizuar se gjatë këtij viti janë miratuar ligje të rëndësishme për vendin, duke shtuar se refreni i punës së parlamentit kanë qenë reformat. Në analizën e fundvitit, kryeparlamentarja Topalli vlerësoi punën e javëve të fundit të këtij sesioni parlamentar, ku veçoi si tejet të rëndësishme miratimin e një sërë reformash integruese, që erdhën si rezultat i arritjes së konsensusit mazhorancë-opozitë, pas dy vitesh bllokimi të reformave parlamentare. Ajo nënvizoi këtu ngritjen e Komisionit të reformës zgjedhore, të Komisionit për rregulloren e Parlamentit, si dhe miratimin e disa ligjeve të rëndësishëm që kërkonin 3/5 e votave. “Gjatë këtij viti kemi kaluar 450 ligje, rezoluta e marrëveshje. Kemi kaluar me konsensus 4 Kode. Vlerësoj ngritjen e Komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe ngritjen e grupit të punës për Rregulloren e Kuvendit”, deklaroi zonja Topalli. Ajo rikujtoi këtu edhe përpjekjet e opozitës për të dëmtuar parlamentarizmin, andaj shprehu mirënjohjen për të gjithë deputetët që i qëndruan Kushtetutës, si të vetmes rrugë, me të cilën kapërcehen momentet e vështira. “Tani opozita u kthye në punë”, tha Topalli, duke vlerësuar se detyrimi që çdo deputet ka, është të votojë ligjet. Kryetarja e Kuvendit e cilësoi parlamentin si asamblenë vendimtare, duke saktësuar se kur flitet për integrimin nuk mund të ketë vend për asnjë përpjekje tjetër. Kryeparlamentarja veçoi si ngjarjen më kryesore për Kuvendin, momentin e diskutimit dhe miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, i përllogaritur në 7 miliard dollarë. Sipas zonjës Topalli, taksat e ulëta, privatizimet, qeveria të vogël, bënë që Shqipëria të mos shkojë në recesion, por të ketë një rritje të lehtë ekonomike, prej afro 4 për qind. Ajo e cilësoi këtë si momentin kulmor të Kuvendit, pikërisht pse ndodhi në një moment të vështirë për vendet e Eurozonës. Kryetarja e Kuvendit shprehu krenarinë për punën voluminoze të Kuvendit, ku sipas saj kryemotiv ishin reformat.

Advertisement