Në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë për këtë vit u betua Kryetari i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, i miratuar në këtë post të enjten e shkuar me 70 vota pro të mazhorancës dhe 61 kundër të opozitës, dhe Avokati i Popullit Igli Totozani, i votuar me 127 vota pro, dy kundër dhe tre abstenime. Bujar Leskaj u propozua për këtë post nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, në 17 Nëntor dhe u miratua me votat e mazhorancës në seancën e shkuar parlamentare. Opozita ashtu siç kishte paralajmëruar kreu i PS-së Edi Rama votoi kundër kandidaturës së Leskaj për kreun e KLSH-së. Madje mungesa në votim seancën e shkuar e deputetit të PS-së Kastriot Islami bëri që kryesocialisti Edi Rama të përjashtojë nga grupi kuvendor socialist edhe deputetin Islami, dy ditë më parë, në një mbledhje me dyer të mbyllura. Ndërkohë, votimi me konsensus i Avokatit të Popullit ishte një tjetër votim i rëndësishëm për këtë seancë dhe për këtë sesion kuvendor, për shkak se u plotësua pas më se një viti vendi i lënë vakant i Ombudsmanit. Këtë post tashmë do ta mbajë juristi Igli Totozani, i propozuar nga PS dhe i përzgjedhur nga dëgjesat publike të PS-së, i miratuar mandej me shumicë votash në Kuvend. Në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar u hodh poshtë edhe propozimi i opozitës për heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, si buka, mielli, veza, qumështi apo edhe uljen e TVSH-së për disa produkte të tjera ushqimore dhe energjisë elektrike. Edhe pse gjatë seancës pati debat mes opozitës dhe mazhorancës, Kuvendi miratoi projektligjin për mbikëqyrjen elektronike në fushën penale, me 71 vota pro dhe 63 kundër të opozitës.