Kryesocialisti tha se, kur PS të hyjë në zgjedhje qytetarët duhet të kenë një pasqyrë të re përmes një programi të detajuar, mbi ekonominë, shoqërinë, Europën etj. Sipas tij, rruga e programit ka nisur dhe do të jetë proces i gjatë dhe i detajuar, pasi një shumicë dërrmuese shqiptare mendon se vendi po shkon drejt krizës dhe se duhet një qeverisje e re për një politikë të re të së ardhmes. Rama tha se, e sotmja është një emergjencë për domosdoshmërinë e të bërit ndryshe të gjërave, sepse ekzistojnë probleme që pengojnë shoqërinë të ripërtërihet dhe kjo do të bëhet me 21 grupe pune të asamblesë kombëtare të cilat do detajojnë programin e ri. “Politika shqiptare ka treguar më se një herë pamundësinë e saj për tu dhënë zgjidhje problemeve, dhe bindja ime është se ne duhet të hapemi përtej vetes përtej opozitës zyrtare, duke iu kërkuar ndihmë. Ne nuk pretendojmë se i kemi të gjitha përgjigjet e për më tepër të gjitha vetë. Unë do dëgjoj qytetarët e zakonshëm dhe ekspertë, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Diasporë”, u shpreh Rama. Më tej ai tha se dëshiron të dëgjojë dhe jo vetëm të udhëheqë, të dëgjojë njerëzit sy më sy dhe të thonë se çfarë duan ata që të bëhet. “Është momenti që njerëzve që duan ndryshimin, tu them se e di se për çfarë luftoj por këtë nuk mund ta bëj pa ndihmën, përgjigjet dhe konsulencën tuaj”, theksoi Rama. Në vijim të fjalës së tij në prezantimin e programit të Partisë Socialiste, shefi i opozitës Edi Rama tha se sot Shqipëria është e papunë. Ai konstatoi se Shqipëria është në falimentim ekonomik e demokratik. Rama theksoi se, “Të dhënat e censusit treguan se sa shumë shqiptarë kanë lënë vendin. Shifrat e reja të popullsisë kërkojnë lexim të drejtë edhe të demografisë, dhe rënia e numrit të shqiptarëve që jetojnë në atdhe kërkon punë të thelluar. E ne detajohemi në këtë pikë në programin e ri të punësimit. Grupi i punësimit do garantojë komunikimin me të gjithë të papunët dhe për ti nxjerrë nga rruga e papunësisë na duhet ndihma e tyre natyrisht edhe mbështetja e tyre, pasi aktualisht shpenzimet e bëra nga qeveria janë më të mëdha se shërbimet e ofruara”. Sipas kryesocialistit ka një sërë plagësh të hapura, dhe koalicioni qeverisës në vend që ti mbyll ato po i grabit shqiptarët. Ai tha se PS nga sot hap misionin për të vënë në vend të drejtën e pronës dhe se nëse se bën PS askush tjetër nuk e bën pasi e djathta bën politikë me pronën. Kreu i selisë rozë ndër të tjera veçoi se në Shqipërinë e sotme ka një parti që deklaron se mbron ish-të përndjekurit, por nuk i dëmshpërblen ata, duke shtuar se PS ka marrë përsipër problemin e dëmshpërblimit të të përndjekurve, që është një program moral më së shumti se social. Ai veçoi se politika sociale e PS është kundër taksës së sheshtë, ndërsa theksoi se mjedisi dhe turizmi ecin paralel në programin e selisë rozë. Duke iu referuar mediave kreu i së majtës shqiptare tha se, media e sponsorizuar nga publiku TVSH, është një ekran që flet vetëm për vendet e botës arabe para ardhjes së pranverës, ku shprehu vendosmërinë e ndërtimit të një kornize legjislative të standardeve të BE duke i dhënë TVSH-së autoritetin e televizionit të publikut dhe jo të partive të pushtetit. Një vëmendje të veçantë në prezantimin e programit Rama ia kushtoi edhe rinisë, ndërsa theksoi se shoqëria duhet të kthehet te sporti. Lidhur me shërbimin diplomatik kryesocialisti tha se shërbimi diplomatik, është gjithçka që shihet dhe i zhytur në korrupsion kryekëput, duke thënë se profesionistët e këtij shërbimi kanë ngelur shumë pak dhe se raporti ndërmjet shpenzimeve për shërbimin diplomatik dhe marrëdhëniet që duhet të ketë vendi me botën absolutisht i papranueshëm. Sakaq ai tha se për të gjitha çështjet puna do jetë e ndarë dhe se kalendari paraqet një fazë, dhe faza e parë do përmbyllet me rezultate e çdo grupi, faza tjetër do përmbyllet me harmonizimin e të gjitha raporteve. Sipas tij puna e programit nis menjëherë pas vitit të ri, e cila siç tha ai nis me bindje dhe modesti.


