Partia Socialiste shpalli kandidaturën e Igli Totozanit si emrin më të votuar nga komisioni, pas dëgjesës publike të 12 kandidatëve. Deputetja socialiste Eglantina Gjermeni bëri me dije se kandidatura e Igli Totozanit do t’i përcillet tanimë kryesisë së PS-së dhe grupit kuvendor socialist. Gjermeni vlerësoi punën përzgjedhëse të komisionit duke theksuar se socialistët bënë diçka ndryshe, në mënyrë që kandidatura fituese për Avokatin e Popullit të jetë e përputhshme me interesat e publikut. “Ne besojmë se kandidatura fituese do të përmbushë me sukses pritshmëritë që na udhëhoqën, por urojmë që zgjedhja jonë të përmbushë atë që publiku meriton nga ky institucion”, deklaroi deputetja Gjermeni. Ajo nënvizoi se pas dëgjesës publike të 12 kandidatëve për Avokatin e Popullit, fituesi u përzgjodh përmes përzgjedhjes fillimisht të gjashtë kandidaturave, e më pas nga tre emra, u përzgjodh kandidatura fituese për postin e Avokatit të Popullit. Deputetja Gjermeni e cilësoi procesin e përzgjedhjes së kandidaturës për Avokatin e Popull si transparent, dhe mishërim të programit të PS-së. Ajo falenderoi të 12 kandidatët që morën pjesë në dëgjesën publike, e para e zhvilluar në Shqipëri për të përzgjedhur një kandidaturë për një post kyç në vend, që do të duhet të mbrojë interesat e popullit. Kandidatura e Igli Totozanit do të duhet të votohet edhe në Kuvend me votat e mazhorancës.


