Berisha tha se, “Modeli ekonomik i kësaj qeverie shpëtoi Shqipërinë nga kriza e thellë, që përfshiu Europën dhe Botën dhe bëri që leku të tregohet lek i vërtet”. Sipas tij, buxheti garanton zbatimin e të gjitha projekteve të Shqipërisë dixhitale, objektivi më madhor për 100 vjetorin e Pavarësisë si dhe mbështet projektet më ambicioze në infrastrukturë, ujëra, shkolla, spitale dhe në projektet e mëdha kombëtare, të ullirit, arrorëve etj. Kryeministri shprehu keqardhje që opozita votoi kundër buxhetit të vitit 2012 dhe e ftoi atë që të sjellë propozime konkrete që ulin varfërinë në vend, ndërsa cilësoi model shkatërrues propozimet që Partia Socialiste shpalosi në Parlament për taksat. “Unë e falenderoj opozitën për diskutimet për buxhetin dje në parlament, por konsideroj si marksiste propozimet e opozitës për taksat në vend. Shpreh keqardhjen e thellë, për disa propozime të cilat synonin pikërisht mekanizmin themelor të modelit, zëvendësimin e modelit të tregut me modelin marksist. Sidomos tani që kthyen në Asamble gjithë byroja, të gjithë fëmijët e bllokut”, deklaroi Berisha.


