Prezantimi u bë gjatë një seminari të zhvilluar në ambientet e Ministrisë, ku të pranishëm ishin Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço, Zv. Ministri Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Neritan Alibali, Drejtori Ekzekutiv i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, z. Adil Neziraj, si dhe drejtues të tjerë të METE dhe të institucioneve të saj të varësisë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço, vlerësoi hartimin e hartës së burimeve minerare të Republikës së Shqipërisë nga SHGJSH dhe u shpreh se, kjo hartë është hartuar në mbështetje të zhvillimit të sektorit minerar, të detyrave që rrjedhin nga strategjia minerare, koncepteve të reja të planifikimit minerar, transparencës dhe zhvillimit të konkurrencës së lirë. Z. Naço theksoi faktin se, pëgatitja e hartës së burimeve minerare është kaluar në një proces të gjerë dhe gjatë konsultimi me ekspertë të fushës së gjeologjisë dhe autorëve të hartave të mëparshme. “Kjo hartë ndërlidh bazën e re gjeologjike, të përshkruar në hartën e re gjeologjike të Shqipërisë, me vendburimet e mineraleve metalore dhe jo metalorë, lëndët energjetike dhe ujërat minerale, duke i vendosur ato në kontekstin gjeologjik më të azhornuar, në trajta të dixhitalizuara, dhe të shoqëruar me bazën respektive të të dhënave në formën e një database. Në materialin e paraqitur është realizuar dhe klasifikimi i vendburimeve sipas rëndësisë industriale, që do të shërbejë si bazë e planifikimit minerar, një koncept i ri i paketës së re ligjore minerare. Puna kërkimore zbuluese, e realizuar në territorin shqiptar, vlerëson në vendin tonë si një vend me një pasuri të madhe minerare, pavarësisht nga sipërfaqja e tij e vogël”, u shpreh ministri z. Naço.


