Tiranë | Meta: datën e atyre që kanë luftuar nuk e vendosin partitë politike

alt

Kreu i LSI-së Ilir Meta në krye të një përfaqësie të partisë së tij ka vendosur kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri”. Meta ka sqaruar për mediat se pse dy ditët 28 dhe 29 Nëntori janë dy ditët më të rëndësishme në kalendarin e historisë sonë. “29 Nëntori është ditë jashtëzakonisht e rëndësishme, që i ka dhënë vlerë 28 Nëntorit për një arsye shumë të qartë pasi ishte fitorja e Luftës Nacional Çlirimtare dhe rreshtimi shumë i mençur dhe i drejtë i partizanëve shqiptarë në luftë, që i garantoi dhe i bëri të paprekshme themelet e shtetit shqiptar”, deklaroi kryetari i LSI-së. Ai bëri me dije se ndodhej në Varrezat e Dëshmorëve për të shprehur mirënjohjen për të gjitha ata, që dhanë jetën për çlirimin e vendit në 29 Nëntor të vitit 1944, dhe për t’u shprehur mirënjohjen të gjithë dëshmorëve, e vlerësuar kontributin e tyre të madh për vendin. “Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen tonë për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre, në radhë të parë ndaj dëshmorëve dhe heronjve të luftës, që nuk kursyen as jetën e tyre për lirinë e atdheut”, theksoi Meta. Meta tha se përkujtimi i 29 Nëntorit është mirënjohje për gjeneratën, që sakrifikoi më shumë për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri në NATO, dhe mandej në BE. I pyetur lidhur me qëndrimin e mazhorancës, ku ai aderon, e cila kremton edhe Çlirimin e vendit në një ditë me Pavarësinë në 28 Nëntor, ish-zëvendëskryeministri Meta nënvizoi së emocionet politike nuk duhet të ngarkohen mbi historinë e vendit dhe të vërtetat e tij. “Ky është qëndrimi i tyre. Ne nuk pajtohemi me këtë qëndrim, sepse mendojmë dhe besojmë që datën e atyre, që kanë luftuar nuk mund ta vendosin gjeneratat e mëvonshme dhe partitë politike. Faktet tregojnë se 29 Nëntori është shënuar si Dita e Çlirimit të vendit dhe absolutisht nuk duhet, që emocionet politike të ngarkohen mbi historinë, sepse nuk i bëjnë mirë as politikës dhe as historisë”, sqaroi kreu i LSI-së. Meta e cilësoi 29 Nëntorin si një ditë të madhërishme për kombin shqiptar, që me rreshtimin e duhur në kahun e fitimtarëve bëri që Shqipëria të mos ndahej.

Advertisement