Policia e Gjirokastrës pas informacioneve për transportimin e një sasie droge drejt Leskovikut, sot rreth orës 05.30 të mëngjesit, ngriti një pikë kontrolli në aksin rrugor Përmet –Këlcyrë, në fshatin Kosinë të rrethit Përmet, ku rreth orës 06.00, ndali automjetin Benz pa targa, i cili po transportonte drogën drejt Leskovikut me destinacion shtetin grek. Sipas policisë drejtuesi i automjetit ka ndaluar rreth 500 metra para post-bllokut të policisë dhe është kthyer menjëherë mbrapa duke lëvizur me shpejtësi të madhe në drejtim të Këlcyrës. Në ndjekje të tij janë vënë menjëherë një numër policësh, ndërkohë që drejtuesi i makinës për t’iu shmangur policisë ka devijuar nga rruga nacionale duke u futur në një rrugë dytësore, që të çon në fshatin Pagar. Pikërisht në afërsi të varrezave të fshatit Piskovë të rrethit Përmet, ai ka hedhur në anën e murit të varrezave të këtij fshati, 98 pako të mbështjella me letër natriban, ku dyshohej se kishte lëndë narkotike Cannabis Sattiva. Pasi ka hedhur lëndën narkotike drejtuesi i automjetit ka vazhduar me shpejtësi lëvizjen në rrugën, që të çon në fshatin Pagar të Komunës Piskovë, por pasi ka bërë rreth një kilometër rrugë, automjeti e ka lënë në mes të rrugës dhe ai është detyruar ta braktisë duke u larguar me shpejtësi në drejtim të pyllit. Pas sekuestrimit të pakove të drogës dhe automjetit, policia ka shpallur në kërkim 26-vjeçarin nga Këlcyra me inicialet V.A. Policia rajonale po punon për kapjen e tij, dhe zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë trafik, si edhe origjinën e lëndës narkotike dhe destinacionin përfundimtar.