Ministri i METE Nasip Naço është thirrur në interpelancë nga socialistët Arben Malaj e Andis Harasani. Deputeti socialist Harasani vlerësoi pozitivisht pr/ligjin që po diskutohet në Kuvend, si rrugë që liron KESH-in nga borxhet e mëdha të krijuara nga CEZ-i dhe lehtëson konsumatorin familjar nga rritjet vjetore të çmimit të energjisë. Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço tha se nuk do të ketë më rritje të çmimit dhe ndërprerje të energjisë. “Me këtë ligj ne i heqim barrën CEZ-it prej rreth 40 milionë euro në vit ndaj KESH-it, heqim faturat afrofe, do të hiqet Policia Elektrike, heq mundësinë e borxheve të këqija nga ndërmarrjet e mëdha. Me këtë ligj eleminohet monopoli i shpërndarjes së energjisë elektrike, futen të tjerë operatorë”, tha ministri. Sipas ministrit, konsumatorët e mëdhenj jo familjarë, si kompanitë ACR, Kurum, Armo, Colagem dhe ajo e Fushë Krujës konsumojnë 800 milion këh/vit energji elektrike. “Me këtë ligj, këta konsumatorë, që konsumojnë mbi 50 milionë këh/vit, detyrohen të gjejnë vetë burimin e furnizimit me energji”, tha ai. “Pr/ligji liberalizon tregun e furnizimit, i heq monopolin e furnizimit KESH-it si furnizues me shumicë dhe u krijon konsumatorëve të mëdhenj mundësinë që të dalin vetë në treg”, sqaroi ministri. Sipas tij, shtyrja e këtij ligji rëndon KESH-in dhe konsumatorin shqiptar, i cili penalizohet me rritje të çmimit të energjisë.