Tiranë | Vihet nën kontroll zjarri në zonën e Unazës së Re

alt

Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm edhe Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Agron Kuliçaj, 2 nënkryetarët e bashkisë, Edmond Panariti dhe Jorida Tabaku, ndërsa zv.Ministri i Brendshëm Ferdinand Poni drejtoi operacionin krahas deputetëve të zonës. Fatmirësisht pas rreth 3 orë punë, falë ndërhyrjes së forcave të shumta zjarrfikëse të cilat mbërritën nga Durrësi, Kavaja e Lezha krahas atyre nga kryeqyteti, u vunë nën kontroll flakët e zjarrit si dhe u ndalën shpërthimet e lëndëve plasëse, ndërsa mësohet se janë 25 biznese e një banesë që morën flakë përreth fabrikës. Në vendngjarje konstatohet lehtësisht se dëmet në këtë objekt janë të shumta dhe ende nuk ka një bilanc edhe pasi flakët u lokalizuan ndërsa ishin shtrirë në dhjetëra biznese aty pranë si dhe në banesa. Një banesë pranë magazinës u përfshi po ashtu nga zjarri. Sakaq, rreth 25 njësi tregtare po ashtu u gjendën nën flakë duke pësuar dëme serioze. Në rrezik u gjend një pikë shitjeje karburanti dhe bombolash gazi që ndodhet vetëm 20 metra larg vatrës së zjarrit. Aty u ndërpre shitja dhe u evakuua personeli. Po ashtu evakuim iu bë të gjithë zonës së emergjencës, madje policia nuk po lejon asnjë biznesmen të afrohet në dyqanet e tyre për të mos iu ekspozuar rrezikut eventual. Në fjalën e mbajtur për mediat zv.Ministri i Brendshëm Ferdinand Poni tha se, “Është zhvilluar një operacion i shpejtë, që bëri që zjarri të lokalizohej, ndërsa 25-30 mjete zjarrfikëse dhe autobote apo mjete të tjera u vunë në operacion, zjarri është drejt shuarjes përfundimtare. Ekspertët janë porositur ta shohin nga afër vatrën e zjarrit”. Ndër të tjera zv.ministri Poni shprehu një falënderim të veçantë për forcat zjarrfikëse që morën pjesë në këtë operacion, ashtu si dhe kanë uruar qindra qytetarë.

Advertisement