Pas konsensusit të arritur në konferencën e kryetarëve, 130 deputetë të Kuvendit, të majtë e të djathtë kanë votuar pro ngritjes së komisionit kuvendor, i cili deri në muajin Mars pritet të përfundojë reformën për proceset zgjedhore në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka sqaruar disa prej pikave kryesore të axhendës së komisionit për reformën, i cili do të bashkë-kryesohet nga demokrati Ilir Rusmali dhe socialisti Damian Gjiknuri e në përbërje të të cilit janë edhe përfaqësues të partive të tjera kuvendore. Gjatë punës së tij komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor. Sipas vendimit, komisioni do të ushtrojë veprimtarinë e tij për një afat tre mujor, përbëhet nga 10 anëtarë, përfaqësues të partive parlamentare, 5 nga maxhoranca (2 PD, 1 LSI, 1 PR dhe 1 PDIU), dhe 5 nga opozita: (PS 4 anëtarë, PBDNJ 1 anëtar).