Berisha ka informuar me detaje kabinetin e tij qeveritar për vizitën e tij në mbretërinë e Norvegjisë. Ai theksoi se tashmë ka përfunduar gjithçka dhe kompanitë austriake dhe norvegjeze pasi kanë zgjidhur të gjitha problemet, gjatë muajve të parë të vitit që vjen hapin tenderin për fillimin e punimeve. “Kjo është vepra më komplekse, më madhore që është krijuar në vend që bazohet në ndërtimin e dhjetra tuneleve dhe ka investimin më të madh. Në takimet e mia është rënë dakort që qeveria të nisë vitin e ardhshëm rrugën dhe qytetarët e Gramshit të kenë të gatshme rrugën e re që sjell drejt kryeqytetit para se t`ju ndodh përmbytja e rrugës së vjetër. Do të jenë 18 km rrugë dhe do të jetë rruga më panoramike e rajonit. Kam kënaqësinë t`ju informoj që kaskada e Devollit do të jetë realiteti më i madh i investimeve private në Shqipëri” ka shtuar Berisha. Berisha tha se gjatë vizitës ka udhëtuar edhe në disa zona ku janë ndërtuar diga të mëdha, një model i mrekullueshëm energjetik, sipas tij. Kryeministri foli gjithashtu edhe për gazsjellësin nga Kaspiku në Europë, i cili kalon edhe nga Shqipëria. “Gazsjellësi që fillon në Kaspik dhe kalon në Turqi, Shqipëri dhe Itali është projekti më fizibël i të gjithë sistemeve deri më sot për të çuar gazin e Kaspikut drejt Europës. Ai kshton 2 mln euro më lirë se projektet e tjera. Ai mund të ndërtohet në kohë rekorda më shpejt se çdo projekt tjetër”, tha Berisha.