Nga komuna e Xarës në Sarandë, ku ka vijuar vizitën e tij në jug të vendit, kreu i shtetit theksoi se “dialogu e bashkëpunimi janë në funksion të një imazhi të politikës së re, asaj për qytetarin.” “Njerëzit kanë nevojë që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në punën e tyre të frytshme, jo për ta kaluar jetën në parazitizëm. Nuk ka politikë më të bukur se sa politika me njerëzit, për njerëzit dhe për rritjen e standardit të jetës së njerëzve. Ajo politikë që është për të shfrytëzuar punën e njerëzve, është një politikë abuzuese. Pra, të japim të gjithë imazhin e një politike të re. Vetëm puna e transformon Shqipërinë”, tha Topi. Më tej, presidenti Topi ka përgëzuar banorët që pas jetës së vështirë në emigracion kanë ringjallur kulturën bujqësore në vendin e tyre.