“Ky buxhet, është më i madhi që qeveria shqiptare ka paraqitur në Kuvend dhe që është votuar ndonjëherë”, u tha Berisha deputetëve. Sipas kreut të qeverisë, tre kushtet kryesore të buxhetit të ri do të jenë: kontrolli i borxhit, deficiti buxhetor dhe kontrolli i inflacionit. “Jemi të gjithë dakord që skeleti makroekonomik duhet të respektohet më çdo kusht. Pra, ruajtja e treguesve makroekonomikë në nivele të shpallura nga qeveria e të pranuara si të shëndetshme, përbën përparësi madhore për ne. Në gjetëm një borxh 72% të GDP-së e kur kreditë përdoreshin për të paguar rroga dhe pensione. Por, në sajë të reformave ekonomike, ia kemi dalë të ulim borxhin nën 60% e të mbajmë deficitin buxhetor me standarde, të kontrolljmë inflacionin. Ia dolëm, të dyfishojmë rrogat dhe pensionet”, tha Berisha. Kryeministri tha se, edhe në 2012-tën, Shqipëria do të listohet në të paktat vende që do rrisi rrogat dhe pensionet, ndërsa garantoi se nuk do të ketë rritje taksash. “Të thuash që do heq taksën e miellit, por do prek bukën e grurin, ke gënjyer tre herë. Por, mjerë ata që tentojnë të gënjejnë shqiptarët. Ata do t’ua presin vetë faturën”, deklaroi Berisha duke iu referuar edhe programit të ri ekonomik të prezantuar nga kryesocialisti Edi Rama. Kryeministri Berisha pohoi sot se në buxhetin e vitit 2012, pritet që prioritet të jetë sërish infrastruktura. “Duhen jo më shumë se 1.5 mld euro për të vazhduar të transformojnë Shqipërinë. Parashikimi është pothuaj gjysëm miliard dollarë. Por, përveç të paparashikuarës, të gjitha të ardhurat nga privatizimet do shkojnë për infrastrukturën. Çdo rrugë e re është më shumë besim i shqiptarëve në qytetet dhe fshatrat ku jetojnë”, tha ai.