Ky samit organizohet nga Presidenca e radhës, që aktualisht mbahet nga Serbia. Në fjalën e tij në këtë samit ai u shpreh se Qeveria shqiptare do vazhdojë kontributin e saj në suksesin e kësaj nisme të rëndësishme për rajonin. Duke iu referuar krizës globale ekonomike dhe financiare, Haxhinasto u shpreh se për të përballuar efektet e kësaj krize, vendet e rajonit duhet të përmirësojnë situatën makroekonomike, lirinë ekonomike, investimet e huaja, sistemin bankar, si dhe politikat fiskale. Ne, tha ai, duhet të forcojmë konkurrueshmërinë e rajonit tonë, për t’i bërë vendet tona dhe rajonin më efektiv dhe konkurrues. Gjatë takimit me homologun Jeremiç, Haxhinasto tha se pala shqiptare i kushton një rëndësi të posaçme nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe po me të njëjtin interes vlerëson edhe përfundimin e marrëveshjeve të tjera, që janë prej kohësh në proces. Nga ana tij, Jeremiç nënvizoi se duhet të nxitet më tej bashkëpunimi ekonomik dhe të mundësohet një komunikim më i frytshëm midis komuniteteve të biznesit të dy vendeve. Ndërsa gjatë takimit me Presidentin e BERZH, ministri shqiptar vlerësoi angazhimin e BERZH-it në Shqipëri dhe theksoi se bashkëpunimi shumë i mirë ka bërë që implementimi i projekteve të ecë në ritmet e duhura. Në takim, Haxhinasto i kërkoi Presidentit të BERZH që të ecet më tej me pranimin e Kosovës si anëtar i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Presidenti i BERZh u shpreh se vlerëson pozitivisht bashkëpunimin me Shqipërinë dhe është i bindur në suksesin e të gjitha projekteve në Shqipëri. Gjatë takimit, Presidenti Miroë ftoi Shqipërinë që të marrë pjesë në forumin “Ballkani Perëndimor dhe promovimi i investimeve”, që zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm.