Tiranë | Debate në seancën plenare për ligjin e menaxhimit të mbetjeve

Kuvendi-i-Shqiperise

Deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi i bëri thirrje deputetëve të mazhorancës të mos e votojnë ligjin për importin e plehrave, duke theksuar se nëpërmjet këtij lidhi Shqipëria do të kthehet në një depo të plehrave të vendeve të BE-së. “Plehrat janë kthyer në një gangrenë për Shqipërinë. Ky ligj duhet të kërkojë referendum. Pse keni frikë nga opinioni i shqiptarëve? Po votojmë një ligj jetik për të gjithë. Deputetë mos e votoni ketë ligj, në emër të fëmijëve, prindërve e brezave që do vijnë”, apeloi deputeti Klosi. Ai akuzoi kryeministrin Berisha se me miratimin e ligjit po i çel rrugën mafjas së plehrave, duke e kthyer vendin në importues të plehrave. “Ky ligj është për importin e plehrave ndaj ka ngjallur indinjatën e shqiptarëve. Kjo është qoka e radhës që kryeministri i bën ndonjë klani klientelist. Ligji në fjalë tregon se Shqipëria do të bëhet vend grumbullimi për plehra, Shqipëria do të bëhet depo plehrash. Ligji në asnjë nen të tij nuk flet qartë për menaxhimin e plehrave”, theksoi nga foltorja e Kuvendit deputeti Blendi Klosi. Në replikë me të, ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, sqaroi se “ky ligj ka të bëjë me trajtimin e integruar të mbetjeve dhe jo importimin e plehrave’. “Nuk bëhet fjalë për import plehrash”, tha Mediu, “por për import mbetjesh”. “Le të ulemi në këtë proces të ndarjes së mbetjeve, le të propozojmë iniciativa ekonomike. Nëse pretendojnë se do të importojmë plehra jashtë hapësirës së gjelbër, edhe unë jam absolutisht kundër. Ky debat, që po zhvillohet ka një të mirë për ndërgjegjësimin e popullit për atë çka duhet të bëjmë me këtë ligj, të shkatërrojmë plehrat”, tha ministri i Mjedisit, duke mbrojtur ligjin e miratuar në Kuvend para tri javësh dhe të rikthyer nga Presidenti me një dekret për shqyrtimin e nenit për importin e plehrave.

Advertisement