Në një konferencë për shtyp, kryeparlamentarja i është përgjigjur kreut të PS-së Edi Rama, i cili deklaroi se Topalli e ka kundërshtuar draftin e PS-së për reformën parlamentare ende pa e marrë atë. “Unë nuk mund të rrëzoj diçka që nuk e kam ende në dorë. Kryetarja e kuvendit mirëpret çdo iniciativë që çon në përsosjen e standarteve. E vetmja gjë kur unë jam xheloze është standarti”, ka theksuar Topalli. Ajo tha se politika e PS-së e dëmton Shqipërinë dhe i bëri thirrje Ramës që të mos pengojë votimin e ligjeve, pasi kështu pengon integrimin e vendit në BE. Sipas saj për ligjet deputetët e PS-së kanë dhënë konsensus. Topalli i bëri këto deklarata gjatë një konference për shtyp pas vizitës së saj të zhvilluar në Amerikë. Ajo theksoi se vizita i shërben forcimit të demokracisë, ndërsa tha se Kongresi Amerikan i jep mbështetje Shqipërisë. Ajo bëri të ditur se disa deputetë do vizitojnë Kongresin Amerikan. Më tej, Topalli foli mbi takimet e zhvilluara në Amerikë me titullarë të rëndësishëm të SHBA-së dhe mbështetjen që ka marrë prej tyre.