Takimi urgjent i OKB-së, erdhi pas kërkesës së Rusisë dhe të Serbisë për të “shqyrtuar situatën në Kosovë për shkak të mundësisë së përshkallëzimit të tensioneve”, ndërsa pasoi paralajmërimet e Prishtinës zyrtare që më 16 Shtator të zbatojë në tërësi planin për operacionalizimin e plotë të pikave kufitare në veri të Mitrovicës. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit ishte e mbyllur për media, por para nisjes së takimit sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, shprehu shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve në veri. “U bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen nga veprimet e njëanshme të cilat do të mund t’i përshkallëzonin tensionet në atë zonë. U kërkoj autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd që të vazhdojnë bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian, që ta vazhdojnë suksesin e deritanishëm të tyre dhe që të ndërmarrin hapa praktik drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani. U kërkoj gjithashtu që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe për të parandaluar konfrontimet dhe dhunën në veri të Kosovës”, tha Ban.