Tiranë | Basha: plani i ri urbanistik do të jetë gati brenda dhjetë muajsh

alt

Në mbledhjen ku morën pjesë për herë të parë edhe përfaqësues nga bota akademike, urbanistë të njohur, arkitektë kryebashkiaku Basha siguroi se Plani i ri urbanistik i Tiranës do të jetë gati gjatë Majit të vitit 2012. Zoti Basha deklaroi se “Plani i ri urban i Tiranës është një domosdoshmëri për Tiranën”, e cila sikundër tha ai ka përjetuar një rritje demografike me efekte negative, pasi në 10 vitet e fundit ka munguar tërësisht një plan urban. Basha theksoi se “Na bashkon filozofia e konceptimit urbanistik si një filozofi e zhvillimit të qytetit në komfort, e mirëqënies së qytetarit në paqe, e qetësisë dhe gjelbërimit dhe e mirëfunksionimit të kryeqytetit”. Kreu i Bashkisë apeloi se është tejet e domosdoshme të zgjidhet me bashkëpunim të gjerë konflikti artificial midis qytetit dhe qytetarëve, lufta midis qytetit të vjetër dhe ndërtimeve pa kriter, apo e qytetit pa semaforë, e deri tek lulishtet e shkulura. Basha tha se Plani i ri urbanistik i kryeqytetit synon të rikthejë balancën e drejtë mes zhvillimit dhe interesit publik, duke respektuar tërësisht pronat private dhe pronarët, por duke respektuar po kështu edhe pronën publike. Ashtu siç edhe gjatë betejës elektorale për Tiranën, kryebashkiaku Basha premtoi se ka vullnetin e nevojshëm për të dëgjuar zërin e qytetarëve. “Plani i ri urbanistik synon të krijojë një frymë bashkëpunimi dhe konsensusi me biznesin, qytetarët dhe komunat përreth. Ne do të promovojmë debat serioz mbi transportin, kemi dëgjuar shqetësimet në çdo rrugë, dhe synojmë ta shtrijmë këtë debat edhe më gjerë”, tha zoti Basha. Duke folur për zhvillimin e Tiranës, Basha tha se do të mbështesë shqetësimet e investitorëve dhe biznesit në kryeqytet, pasi siç tha ai, biznesi është motorri kryesor i zhvillimit ekonomik të Tiranës. Në fjalën e tij Basha tha se “Planin e ri urbanistik të Tiranës kemi vendosur ta hartojmë në bashkëpunim me qytetarët, me qëllim që transformimin urban ta nxjerrim nën diellin e transparencës”, duke theksuar se hartuesit janë të hapur ndaj sugjerimeve dhe kritikave. Sipas kryebashkiakut vetëm një proces transparent largon frymën klienteliste që i ka zënë frymën kryeqytetit.

Advertisement