“Pas 6 vitesh në krye të PS-së Tiranë ku kam provuar shijen e suksesit por dhe natyrisht shijen e hidhur të vjedhjes së votës, manipulimit, sikurse ishte rasti i fundit, i cili u paraqit në formën më skandaloze në sy të publikut por dhe të atij ndërkombëtar, unë marr këtë përgjegjësi morale. Them se mund të kisha bërë më shumë për mundësinë e minimizimit të këtij manipulimi”, tha Bare sot për mediat. Ai deklaroi se kjo ishte koha optimale për të bërë veprime, pasi në muajin Shtator dolën edhe rezultatet për Tiranën. “Në këtë interval kohor 6-vjeçar kam shijuar suksesin dhe shijen e hidhur të manipulimit dhe vjedhjes së votës dhe në këto rrethana ndjej përgjegjësinë se ndoshta mund të kisha bërë më tepër në këtë drejtim dhe këtë e reflektoj nëpërmjet dorëheqjes sime, duke i lënë hapësirë deputetëve të tjerë. Akti im i dorëheqjes është veprim modest në tablonë politike shqiptare”, shprehet ish kreu i socialistëve të Tiranës. Bare, njëherësh deputeti i PS në Kuvend deklaroi se, sipas tij, Edi Rama është çuditur për dorëheqjen. Vetë Bare ka vlerësuar pasuesin e tij Sajmir Tahiri për postin e kreut të PS-së në kryeqytet dhe premtoi se do të jetë i angazhuar maksimalisht në drejtim të jetës së partisë dhe fushatave elektorale. Tahiri do të vijojë të drejtojë degën kryesore të PS-së, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, para kongresit të 5 Nëntorit. Pritet që në javët që vijnë, të bëhen edhe zgjedhjet për kreun e ri të PS-së për Tiranën, në bazë të vendimit që u mor edhe në Asamblenë e fundit Kombëtare.