Tiranë | Kryeministri Berisha: bashkëpunimi me opozitën është qëllim konstant i qeverisë

alt

Këtë garanci, kryeministri Berisha e ka dhënë pas pyetjeve të bëra nga gazetarët për hyrjen e opozitës në Parlament, ditën e sotme. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin e Hondurasit Porfirio Lobo Sosa, Berisha tha se bashkëpunimi me opozitën është një qëllim konstant i qeverisë për konsolidimin e shtetit ligjor dhe në përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian. “Qeveria është e gatshme dhe e vendosur që të bëjë gjithçka për integrimin e Shqipërisë në Evropë. Ky është edhe Ylli Polar i reformave në vendin tonë dhe ecurisë së zhvillimit të tyre. Në këtë kontekst, dua të theksoj se qeveria në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se është tërësisht e hapur ndaj Komisionit të Venecias dhe se mirëpret kontributin e tij për përmirësimet në ligjin zgjedhor. Ky i fundit, është ligji më konsensual në historinë e vendit, ku qeveria nuk ka refuzuar as edhe një nen të vetëm të propozuar nga opozita, një ligj që ka patur ekspertizën e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Pikërisht, kjo ekspertizë e vlerëson këtë ligj si një bazë solide për zhvillimet demokratike”, tha kryeministri shqiptar Sali Berisha. Ai e ka garantuar opozitën se qeveria është e vendosur të përkthejë në ligje secilin nga rekomandimet e ndërkombëtarëve për reformën zgjedhore. “E rëndësishme është që bashkë të punojmë për konsolidimin e shtetit ligjor, liritë dhe të drejtat e qytetarëve si edhe institucionet demokratike”, ka përfunduar kryeministri.

Advertisement