Tiranë | Topalli fton opozitën të bashkëpunojë për reformat

alt

Gjatë fjalës së saj Topalli u shpreh se “Çdo deputet duhet të nderojë betimin që ka bërë, Kuvendi do të jetë vendi i punës për të gjithë, të gjithë duhet të angazhohen për të bërë hapa pozitiv drejt Bashkimit Europian. Ftoj kolegët deputetë të mazhorancës dhe opozitës që të punojmë e votojmë bashkë. Strategjia e bojkotit nuk bën pjesë në shekullin 21”. Sipas saj, çdo gjë që i bashkon shqiptarët, duhet të bashkojë me votë të gjithë ligjvënësit dhe ata duhet të votojnë, pasi axhenda e ardhshme e parlamentit theksoi kryeparlamentarja, e ka emrin reformë. “Ftoj kolegët e opozitës të punojmë bashkë dhe të votojmë bashkë, shqiptarët janë unanim për këtë, ne që i përfaqësojmë ata, nuk duhet të bëjmë ndryshe. Integrimi i vendit është detyra e të gjithë vendit dhe për këtë duhet të bashkojmë votat. Integrimi në BE është objektivi ynë kombëtar, tani është koha dhe momenti”, u shpreh Topalli. Më tej ajo shtoi se deputetët duhet të akomodohen në parlament për të bërë detyrën, duke shtuar se vendi ka nevojë për opozitën. Në përfundim kryeparlamentarja Topalli, përsëriti qëndrimin se maxhoranca është e gatshme për të bashkëpunuar, duke uruar që sesioni i ardhshëm i kësaj legjislature të jetë i suksesshëm, ajo nënvizoi nevojën e të 140 votave të deputetëve për miratimin e ligjeve.

Advertisement