Bulqizë | Asnjë marrëveshje mes ACR dhe minatorëve

alt

Situata u tensionua kur minatorët bllokuan hyrjen e minierës, ndërsa forcat e policisë tentuan t`i largojnë ata. Minatorët janë konfrontuar fizikisht me policinë dhe për pasojë tre ish-grevistë janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital. Ndërkohë ditën e djeshme kompania “ACR” i bëri thirrje të gjithë punonjësve t`i bashkohen grupit, që ka filluar sot punën për kthimin në normalitet të minierës së Bulqizës. Kompania i bëri thirrje minatorëve të mos bien pre e kërcënimeve të Kol Nikollës ndërsa u ka premtuar atyre edhe mbështetjen e saj. Situata në minierën e Bulqizës ka hyrë në një ngërç pasi ndërsa kompania kërkon të vendosë si kusht të panegociueshëm përjashtimin e përfaqësuesve të sindikatave që drejtojnë grevën, minatorët kërkojnë që në çdo marrëveshje me kompaninë të përfaqësohen nga sindikatat. Kompania “ACR” i ka dërguar më herët minatorëve edhe një marrëveshje të nënshkruar nga administatori i saj Giga Bedieshvili në të cilën thuhet se janë plotësuar disa nga kërkesat e tyre, si rritja e pagës me 20%, përmirësimi i kushteve të punës si dhe investimet në minierë por kjo marrëveshje nuk u pranua nga minatorët. Ndërkohë ditën e djeshme minatorët e Bulqizës deklaruan se do të presin edhe dy ditë për një marrëveshje me kompaninë ACR dhe nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë ata do të hyjnë sërish në grevë urie ndërsa protestat do të përshkallëzohen deri në bllokimin e rrugëve.

Advertisement