Tiranë | Berisha: Rama i është kthyer profesionit të tij të dështuar, publicistit

berisha-mbledhje-qeverie-

“Dje libianët përjetuan ndonëse në momente dhimbje dhe sakrifice të pakrahasueshme 20 Shkurtin e vitit ‘91. Me guximin, trimërinë dhe sakrificën e tyre por dhe mbështetjen e NATO-s në mbrojtje të jetës dhe civilëve, forcat e opozitës çliruan dhe strofullin e fundit të pushtuar nga diktatori në kryeqytetin e tyre, atë që ishte bërë tmerr dhe ferr i qytetarëve libian për 42 vite me radhë”, u shpreh kryeministri Beirsha. Më tej ai shtoi se Qeveria shqiptare e ka mbështetur që në fillim koalicionin që u krijua dhe më pas me ndihmën e Aleancës së Atlantikut të Veriut, në mbrojtje të civilëve, të cilët po sulmoheshin barbarisht nga forcat mercenare të kolonelit mizor. Qeveria shqiptare, tha ai, nuk ka patur potencial të mjaftueshme për tu bërë pjesë e ndihmës, por u ofruan të gjitha kapacitete aeroportuale nëse u nevojiteshin në mbështetje të lëvizjes arabe. Madje theksoi Berisha, Qeveria shqiptare ka njohur që në fillim Këshillin Kombëtar të Tranzicionit. Sakaq ai shtoi se Shqipëria është e gatshme të marrë pjesë në të gjitha operacionet humanitare në ndihmë të këtij komuniteti dhe të këtij vendi. Berisha u shpreh se, “Ministria e Mbrojtjes dhe ministria e Shëndetësisë do të marrin të gjithë masat për të përgatitur ekipet shëndetësore me të gjitha pajisjet e nevojshme për të mbështetur shtetin i cili përjetoi një muaj të tërë lufte dhe masakrash, por që triumfoi. Rënia e këtij njeriu përbën një fitore historike për qytetarët e Libisë. Fitore e madhe e lirisë me gjithë çmimin që ishte ndoshta i pashmangshëm për tu paguar. Unë mbështes plotësisht deklaratën e presidentit Obama, se diktatori tjetër lau me gjak popullin sirian dhe tregoi se është i biri i të atit dhe Assadi Junior duhet të largohet. Përmbysja e klikave diktatorial, është një zhvillim historik për gjithë botën dhe popujt e shtypit, një fitore e madhe”. Më tej ai u ndal edhe në qëndrimin e kryesocialistit Rama ku tha se ai i është rikthyer në origjinë, në dy profesione të dështuara, piktura dhe publicistika. “Dje ankohej, sulmonte pse unë kisha folur pardje për rënien e Tripolit, në një kohë që siç thoshte ai Triploi nuk kishte rënë, por këtë e thoshte vetëm ai dhe asnjë tjetër. Unë i besova të vërtetës dhe e vërteta është që sot koloneli prej të paktën 3 ditësh gjendet në pusetë, iku nga bunkeri, se kjo ndodhi në Tiranë në 20 Shkurt. Ne ia dolëm të parandalojmë çdo lloj përplasje, por minjtë ia kishin mbathur tre ditë më parë. Shqetësimi i dytë i zotit Rama ishte se unë e kisha quajtur fitore, unë e quaj një fitore të madhe, pasi një nga vendet më të pasura me resurse natyrore, u mbajtën në një spirale shtypje, ku më shumë se gjysma e popullatës jeton në varfëri, sepse ky vend nën drejtimin e tij iu nënshtrua sanksioneve nga më të rrepta të akteve terroriste”, deklaroi Berisha. Ndër të tjera ai hoqi një paralele me vuajtjet e popullit shqiptar duke thënë se, shqiptarët e kanë pasur në kurriz një situatë të tillë, pasi diktatori Enver Hoxha është në distancë diktatori më i egër, më gjakësor, më mizor, ndaj tha Kryeministri, ai u shpall Hitleri shqiptar i pas Luftës së Dytë Botërore. Në përfundim ai ironizoi kryesocialistin Rama duke thënë që në darkë mund të dalë një tjetër letër e tij, madje i sugjeroi që të lexoj veprën e Arshi Pipës, ku janë dy vargje për Enver Hoxhën.

Advertisement