Shkak për bllokimin është bërë largimi i sekretarit të komisionit zonal. Sekretari që i përket koalicionit “Aleanca për të ardhmen” është larguar duke marrë edhe vulën me vete, një rast i njohur bllokimi procesi edhe në zgjedhjet paraardhëse. Sipas burimeve mësohet se bllokimi i numërimit të votave në KZAZ-në 42 ka nisur pas dorëzimit të materialeve zgjedhore të pesë qendrave të votimit të kësaj komune. Tashmë për zhbllokimin e situatës dhe nisjen e numërimit të votave në Shalë pritet të ndërhyjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili duhet të marrë një vendim paraditen e sotme, nëse votat do të numërohen në Shkodër apo do të tërhiqen në Tiranë. Por ajo që dihet është se gjatë përgatitjes së zgjedhjeve vendore të 8 Majit KQZ e kishte parashikuar këtë problem të hasur prej disa palë zgjedhjesh, duke parapërgatitur edhe vula rezervë ashtu sikundër edhe fletëvotimi rezervë, një fakt ky tejet i debatuar dhe kundërshtuar nga anëtarët e opozitës në mbledhjet e KQZ. Ndërkohë pas marrjes në dorëzim të materialeve zgjedhore të pesë Q.V-ve të komunës Shalë dhe shoqërimit të tyre nën mbikëqyrjen e forcave të shumta të policisë dhe të RENEA-s mesnatën e të dielës situata është paraqitur e qetë dhe pa asnjë problem.