“Jemi gati të plotësojmë kërkesat e minatorëve dhe të nënshkruajmë marrëveshjen për rritjen e pagës me 20% dhe kryerjen e investimeve në minierë për përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe të punës për minatorët e Bulqizës”, thotë administratori Bedineishvili në njoftimin më të fundit për mediat. Administratori i ACR-së thekson se kërkesat e minatorëve janë pranuar dhe do të plotësohen, me qëllimi rikthimin në normalitet të punës në minierën e Bulqizës. Ndërkohë Bedineishvili akuzoi kreun e Konfederatës së Sindikatave Kolë Nikollaj se po mban peng marrëveshjen mes kompanisë dhe minatorëve grevistë për shkak të interesave të tij personale. Sakaq 14 minatorët e Bulqizës të ngujuar në galeritë e minierës së kromit do të vijojnë grevën e urisë deri në zyrtarizimin e marrëveshjes. Ata kundërshtuan edhe vendimin e Gjykatës së Dibrës që urdhëronte nxjerrjen e minatorëve nga miniera e Bulqizës, si dhe ndërprerjen e grevës së tejzgjatur nën rrezikun e shembjes së minierës. Por, ky vendim i gjykatës nuk është zbatuar, pasi minatorët kanë bllokuar hyrjen e minierës dhe ashensorët që të zbresin nën tokë aty ku janë ngujuar grevistët e urisë, që presin arritjen e marrëveshjes.