Shqipëri | Javën e ardhshme publikohet raporti i ODIHR për zgjedhjet e 8 Majit

alt

Misioni i vëzhguesve i drejtuar nga amerikani Jonathan Stonestreet pritet që në raportin përfundimtar të bëjë rekomandime për zgjedhjet e ardhshme si dhe t’i adresojë kritika liderëve politikë për menaxhimin e këtij procesi zgjedhor, i cili u tejzgjat për shkak të rezultatit në bashkinë e Tiranës. Në raport pritet të përfshihen edhe vlerësimet për procedurat ligjore të ndjekura gjatë odisesë ligjore për bashkinë e Tiranës. Do të vlerësohen këtu si procedurat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sa i përket numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara apo edhe gjykimit të çështjes nga Kolegji Zgjedhor, i cili e cilësoi të ligjshëm këtë vendim të KQZ-së edhe pse jo i parashikuar shprehimisht në ligjin zgjedhor duke i dhënë fitoren me 93 vota para kandidatit të mazhorancës Lulzim Basha, sot kryebashkiaku i Tiranës. Në raportin paraprak të publikuar tri javë pas zgjedhjeve kreu i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë Stonestreet vërejti se procesi i numërimit të votave ishte i ngadaltë, ndërkohë që u karakterizua edhe nga një polarizim i ndjeshëm politik. Po kështu Stonestreet theksoi se kishte paqartësi lidhur me ligjshmërinë e veprimeve të KQZ-së në numërimin e votave të kontestuara që u cilësuan gjatë procesit si vota të hedhura gabim në kutitë e tjera. Megjithatë vëzhguesit në raportin e tyre e cilësuan transparent procesin e vlerësimit të këtyre votave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Raporti i OSBE/ODHIR-it është tejet i rëndësishëm pasi vlerësimi që ai do të japë mbi zgjedhjet është një ndër pikat kyç ku do të mbështetet Komisioni Europian për të shqyrtuar në nëntor kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme është një nga kriteret themelore të kërkuara nga KE për Shqipërinë pas opinionit të 9 nëntorit të vitit të shkuar. Rëndësinë e standardeve të zgjedhjeve administrative të 8 majit e kanë ripërsëritur në të gjitha deklaratat e tyre përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe SHBA-ve, si në vizitat në Tiranë ashtu edhe nga foltoret e institucioneve më të larta ndërkombëtare. Andaj pritet që java e ardhshme të jetë edhe më e nxehtë politikisht, për shkak të pritshmërisë nga të dy kampet e politikës, që javët e fundit nuk kanë gluar nga fjalimet për shkak të pushimeve.

Advertisement