Nikolla tha se ndërhyrja e kryeministrit mund të prodhojë dialog dhe zgjidhje të shpejtë të situatës në kushtet kur gjendja e minatorëve në ditën e 17-të të grevës së urisë nën tokë është tejet e rënduar. Kreu i Konfederatës i bëri apel kryeministrit, duke i thënë se në rast se nuk ndërhyn atëherë do të kërkohet largimi i dy ministrave Nasip Naço dhe Spiro Ksera. Nikolla deklaroi se minatorët janë të gatshëm për marrëveshje institucionale duke bërë me dije kushtet për arritjen e një marrëveshjeje me ACR-në. Nikolla tha se kërkesat që do të shtrohen në takimin me ACR-në janë “Investime në nivelet 16-20 të minierës së Bulqizës, garantimi i kushteve të sigurisë në punë, largimi i drejtorit të minierës Mehdat Zogu, rritja e pagës me 20% me kontratë”. Këto janë kushtet e vëna nga minatorët grevistë, tha Nikolla duke theksuar se “në rast se këto kushte plotësohen atëherë minatorët do të rikthehen në punë që nesër”. Për situatën në minierën e kromit foli edhe kryetari i Bashkisë së Bulqizës Roland Keta, i cili i bëri thirrje qytetarëve të qetësohen. Zoti Keta theksoi se vetëm dialogu mes palëve mund ta zgjidhë situatën.