Këshilli i Sigurimit nuk ka dhënë pëlqimin për kërkesën e Serbisë që të diskutohet me dyer të hapura, duke bërë me dije se sesioni i sotëm do të jetë me dyer të mbyllura. Shtetet e Bashkuara dhe Britania deklaruan se kjo çështje mund të presë derisa të mbahet takimi i rregullt për Kosovën, në muajin e ardhshëm. Megjithatë KS ka arritur kompromis dhe ka rënë dakord që takimi të mbahet sot. Takimi në OKB u thirr pas tensionimit të situatës në Mitrovicën veriore dhe djegies mbrëmë nga ekstremistë serbë të pikës kufitare të Jarinjës. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp fajësoi për sulmet në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 grupe të organizuara kriminale të udhëhequr nga liderët e strukturave paralele serbe dhe të motivuara nga autoritetet e Beogradit. Sipas kryeministrit Thaçi sulmi është orkestruar nga udhëheqja e lartë e Beogradit. Ai e cilësoi politikën e Beogradit ndaj Kosovës si politikë vandalizmi.


