Tiranë | Haxhinasto: mbështesim pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës

Friday, January 16, 2026

Nëpërmjet një deklarate të publikuar në faqen online të MPJ, kreu i diplomacisë shqiptare Edmond Haxhinasto shprehet se po ndjek me vëmendje zhvillimet e ditëve të fundit në veri të Republikës së Kosovës, duke shprehur keqardhjen për humbjen e jetës së një polici si dhe plagosjen e shumë të tjerëve nga dhuna e ushtruar. Ministri Haxhinasto rithekson mbështetjen e Shqipërisë ndaj Pavarësisë së Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit të saj në të gjithë territorin e Republikës së njohur ndërkombëtarisht nga 77 shtete, si një faktor paqeje dhe stabiliteteti në Ballkan. “Është e domosdoshme që zgjidhjet të vijnë përmes dialogut dhe marrëveshjeve të arritura, zbatimit të “Strategjisë për Veriun” të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, që do të bëjnë të mundur ushtrimin e pushtetit legjitim të autoriteteve të zgjedhura të pushtetit qendror e lokal në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratën e zotit Haxhinasto. Ai i bëri thirrje palës kosovare dhe serbe që problemet e mbetura mes tyre t’i zgjidhin përmes procesit të dialogut. Sipas Haxhinastos është thelbësore që konkluzionet e arritura mes dy vendeve me ndërmjetësimin e BE-së, të shndërrohen në marrëveshje të zbatueshme me garanci ndërkombëtare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -