Kosovë | Jahjaga: e drejtë legjitime të kontrollojmë territorin tonë

Saturday, January 17, 2026

“Aksioni i Policisë së Republikës së Kosovës, sipas vendimit të Qeverisë, për të marrë nën kontroll pikat 1 dhe 31 të vendkalimeve kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për të respektuar vendimin për masat e reciprocitetit në këmbimin doganor ndërmjet dy vendeve, është një veprim i qëlluar që ka përkrahjen e plotë të popullit dhe të gjitha subjekteve politike në Kosovë, por edhe përkrahjen ndërkombëtare, sepse është e drejtë sovrane dhe legjitime e shtetit që të ketë kontroll në mbarë territorin e vet”, thuhet në deklaratën e Jahjagës. Ajo thekson më tej se Kosova kishte besim te dialogut me Serbisë që u zhvillua në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që ndihmon qytetarët e të dyja vendeve që të zgjidhin çështjet të cilat që nga viti 1999 me vendim të Serbisë u bënë pengesë për komunikimin e lirë ndërmjet njerëzve dhe për këmbim të mallrave duke u privuar kështu nga të drejtat dhe liritë e elementare. Jahjaga ndër të tjera shprehet se, në raundin e fundit të bisedimeve Serbia u tërhoq pa asnjë shkas duke vënë në rrezik edhe tri marrëveshjet për të cilat dy delegacionet u pajtuan. Sakaq sipas Presidentes, Kosova dhe të gjitha institucionet e saj janë të vendosura që të zbatojnë rendin dhe ligjin në mbarë territorin, që është në të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim dhe që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. “Dialogu është e vetmja rrugë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dy vende sovrane që në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian e kanë të ardhmen e përbashkët. Me këtë rast dua të lavdëroj punën dhe angazhimin e Policisë së Kosovës në veprimet shumë profesionale në zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhet në deklaratën e Presidentes Atifete Jahjagës. Në përfundim ajo përmend gjithashtu edhe mbështetjen e dhënë për kryeministrin Thaçi për këtë veprim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -