Tiranë | Berisha: censusi u shty vetëm për shkak të zgjedhjeve

Tuesday, December 16, 2025

Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë Berisha tha se, për herë të parë në histoinë e vendit shqiptarët regjistrohen si qytetarë të një Shqipërie që nuk është më streha e mjerimit të Evropës. “Do të regjistrohen qytetarët dhe pasuritë e tyre, regjistrohet Shqipëria, e cila ka shënuar arritje të mëdha.Varfëria nga 25% është ulur në 12%. Në këto 20 vjet të ardhurat për frymë u rritën 25 herë, nga 204 dollarë arritën 7 mijë dollarë”, ka deklaruar kryeministri, i cili ka renditur sukseset e këtyre viteve në ekonomi dhe jetën sociale. Kryeministri Berisha sa i përket kundërshtive të aleancës “Kuq e Zi” ka siguar se të gjitha bëhen vetëm për interesa personale të individëve të caktuar. “Shtyrja e censusit për vjeshtën nuk ka lidhje me klithmat mjerane të disa individëve, të cilët për interesa personale, duan të vënë në pikëpyetje identitetin e kësaj shoqërie. Censusi u shty vetëm për shkak të zgjedhjeve, sepse qeveritë vendore kanë përgjegjësinë kryesore”, ka sqaruar kryeministri. “Ata të cilët derdhin lotë për kërcënimin e identitetit kanë fatkeqësinë të kenë lindur pa identitet. Nuk kanë të bëjnë me shoqërinë shqiptare por janë individë të shkëputur. Ky komb nuk do vuajë kurrë për identitetin e tij. Shqiptarët kanë qenë kur ska patur alfabete e universitete, kur kanë përjetuar pushtime barbare. Ata kanë mbetur shqiptarë edhe kur kanë fjetur për shekuj me rradhë në perandori të tjera”, ka nënvizuar Berisha. Kryeministri ka vijuar më tej duke ashpërsuar kritikat ndaj atyre, që sipas kryeministrit, derdhin lotë sepse janë njerëz me defiçencë identiteti dhe shoqëria i pranon se është shoqëri e lirë. “Ata janë mjeranë, ateistë se kanë frikë Zotin. Qytetarët duhet të ndihen krenarë për përkatësinë etnike. Ata që shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, përdhosin kushtetutën dhe janë më të mirë se çakejtë e tyre, që fshihen pas të vegjëlve”, është shprehur kreu i qeverisë. Kryeministri ka siguruar se regjistrimi do bëhet, por pa asnjë detyrim. “Ai që i konsideron si një çëshje private është i lirë të mos shënojë asgjë. Unë do t’i shënoj se jam krenar për identitetin tim dhe besimin tim fetar”, ka thënë kryeministri, ndërsa i ka bërë thirrje medias, që sipas tij të kontribuojë në një faqe të re të historisë së Shqipërisë evropiane.

 
RELATED ARTICLES
- Advertisment -