Tiranë | Molnari: dialogu politik është e vetmja zgjidhje

alt

Deklarata ka ardhur nga ambasadori i Hungarisë në Tiranë Sandor Molnari. Ambasadori ngriti shqetësimin për situatën postzgjedhore në vend, duke theksuar se meqënëse se procesi zgjedhor po zgjatet dhe është tejet i vështirë, nuk ka asnjë alternativë tjetër për Shqipërinë sesa nisja e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës si një hap për të përshpejtuar integrimin në BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat brenda vitit. “Hungaria si vend i BE-së e mbështet marrjen e statusit kandidat në BE nga Shqipëria. Tregues i kësaj mbështetjeje dhe vendosmërie janë vizitat e krerëve të lartë të shteteve si ajo e kryeministrit Orban në Tiranë, kryetares së Parlamentit hungarez, si dhe ajo e presidentit Topi në Hungari”, nënvizoi Molnari. “Ne mendojmë se ky duhet të jetë objektivi kryesor i Shqipërisë që të arrijë të marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2011”, tha ambasadori hungarez. Molnari ripërsëriti se çelësi i integrimit është përmbushja e 12 rekomandimeve të opinionit të KE-së vitin e shkuar. Ambasadori Molnari tha se përmbushja e këtyre kritereve nuk do të ishte vetëm në interes të integrimit të Shqipërisë në BE, por është edhe përmbushja e dëshirës së pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët janë tërësisht në favor të integrimit të vendit në BE. Më pas ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ripërsëriti se BE i ka bërë një thirrje të qartë liderëve të politikës shqiptare të nisin në mënyrë urgjente dialogun politik në vend. Sequi theksoi se integrimi në BE duhet të jetë axhenda kombëtare e Shqipërisë.

Advertisement