Drejtuesi i Zyrës së Komisionit Europian në Shqipëri, ambasador Etore Sequi, tha sot se Bashkimi Europian është shumë i angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë, por gjithçka është në duart e vetë shqiptarëve. Në një takim me studentë të Universitetit të Tiranës, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Sequi tha se “Ky është vendi juaj, kjo është e ardhmja juaj, dhe kjo është përgjegjësia juaj.” “Shqipëria nevojitet të ketë më shumë besim tek vetja, tha ambasadori Sequi. Kur dikush nuk beson tek vetja, as të tjerët nuk besojnë tek ai. Pa vullnet politik, pa dialog politik procesi i integrimit është si një biçikletë pa timon që nuk mund të shkojë shumë larg. BE nuk e detyron dot Shqipërinë që të ketë vullnet të mirë. Ky është vendi juaj, përgjegjësia juaj. BE mund të japë disa arsye bindëse se përse integrimi është i nevojshëm, por më në fund përsëri është vendimi juaj.”


