Në pikën doganore të Kapshticës që prej mëngjesit nuk është lejuar kalimi i automjeteve në anën greke, duke krijuar rradhë deri në 1 km. Autoritetet helene në këtë pikë doganore kanë lejuar vetëm kalimin e këmbësorëve dhe rasteve urgjente, ndërsa trau i doganës ka qëndruar i mbyllur edhe për mjetet tregtare. Nuk ka qenë e njëjtë situata në pikat e tjera kufitare, atë të Kakavijës, Tre Urave në Përmet dhe Qafë Botës në Sarandë. Në këto pika doganore ka funksionuar normalisht kalimi i njerëzve dhe mallrave. Greva e paralajmëruar e doganave greke do të zgjasë dy ditë, për shkak të kundërshtisë që sektori publik, por dhe sindikatat kanë shfaqur kundër planit të qeverisë greke për daljen nga kriza.


