Tiranë | Haxhinasto: të respektojmë institucionet që të përparojmë në procesin e integrimit

alt

“Thirrjet i bëhen politikës dhe jo Tiranës zyrtare. E rëndësishme është që palët të respektojnë logjikën e institucioneve të pavarura, të plotësojnë detyrimet për 12 kriteret kyç dhe të ecim përpara në integrimin drejt BE-së”, deklaroi në një prononcim për mediat zëvendëskryeministri, që e cilësoi takimin si rutinë. Ai komentoi se mesazhi i BE-së është që të gjitha palët e politikës shqiptare duhet të respektojnë institucionet e pavarura dhe vendimin e gjykatave për të ecur përpara drejt procesit të integrimit. Këtu Haxhinasto theksoi se apeli i BE-së ishte që palët të angazhohen për përmirësimin e Kodit Zgjedhor me qëllim që të mos hasen probleme të tilla të ngjashme në të ardhmen. Duke komentuar letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland dërguar në 14 qershor kryeministrit Sali Berisha, ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto sqaroi se Jagland i referohet të ardhmes dhe refomës zgjedhore. “Jagland i referohet të ardhmes, kur Shqipëria të realizojë reformën zgjedhore për të përcaktuar më mirë ligjet duke ofruar eksperiencën e Komisionit të Venecias për ndryshimin e legjislacionit ekzistues”, nënvizoi haxhinasto. Kryediplomati shqiptar tha se kjo ofertë i është bërë edhe opozitës që të paraqesë amendimet e kodit e ato të miratohen si amendime, porse këto nuk janë miratuar. Duke folur për skandalin me flamurin kombëtar shqiptar në Parlamentin Europian në Bruksel, ku flamuri kishte yllin simbol të regjimit komunist mbi shqiponjë, kryediplomati shqiptar e komentoi si një gabim protokollar. Haxhinasto tha se PE ka kërkuar gojarisht falje për këtë gabim të protokollit. Porse sipas Haxhinastos tashmë autoritetet shqiptare presin edhe shpjegimin zyrtar të PE-së.

Advertisement