Shqipëri | Fule apelon për nisjen e dialogut politik

alt

Në ditën e parë të diskutimeve, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule në fjalimin e tij shprehu shqetësimin se situata politike në Shqipëri është përkeqësuar tejet pas përmbylljes së procesit të votimit të 8 Majit dhe pikërisht gjatë procesit të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për zgjedhjen e të cilit ai bëri thirrje për nisjen e dialogut. Komisioneri Fule në deklaratën e tij të publikuar pas takimit ndërparlamentar deklaroi se “Përgatitja e zgjedhjeve vendore dhe procesi i votimit të 8 Majit ishin në përgjithësi pa trazira e të qeta, përveç disa parregullsive, një proces që vlerësua si pozitiv”. Sipas Fules procesi i numërimit të votave në KZAZ-të edhe pse i vonuar e i ndërprerë në disa raste, funksionoi mirë dhe ishte transparent. Fule theksoi se situata politike u përkeqësua për shkak të problemeve me tabelat e rezultatit për Tiranën. Komisioneri për Zgjerimin u shpreh i keqardhur se ai vetë dhe BE pas ngjarjeve të 21 Janarit kishin shpresuar se zgjedhjet e 8 Majit do të kontribuonin në kapërcimin e ngërçit politik ku ndodhej prej shumë kohësh klasa politike shqiptare. Fule u bëri apel liderëve politikë shqiptarë që të presin qetësisht dhe pa polemika përmbylljen në mënyrë konstruktive të procesit zgjedhor. Këtu Fule theksoi se ka interpretime të ndryshme mbi vlefshmërinë e votave të hedhura në kutitë e gabuara. Në këtë pikë Komisioneri Fule deklaroi se është tejet e nevojshme kryerja e një reforme gjithëpërfshirëse në Kodin Zgjedhor, dhe për këtë ai apeloi për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe me shoqërinë civile. Komisioneri i bëri thirrje liderëve politikë shqiptarë të gjejnë rrugën për të dialoguar dhe për të marrë vendime në të mirë të interesit të vendit dhe qytetarëve. Duke folur për liberalizimin e vizave, Fule tha se politika shqiptare ka treguar vullnet pozitiv dhe është për t’u përshëndetur progresi pozitiv. Po kështu ai kërkoi që palët të tregojnë vullnet pozitiv edhe në përmbushjen e 12 kritereve kyç, të nevojshme për anëtarësimin e vendit në BE. Ai nënvizoi se rezultatet mbi këto kritere të BE-së Komisioni Europian do t’i paraqesë në mesin e muajit Tetor.

Advertisement