Kryetari i Partisë Socialiste duke iu referuar vendimit të dhënë i drejtoi një pyetje Kolegjit, duke u thënë nëse ndihen të vetëdijshëm për pasojat e kësaj padrejtësie. Më tej Rama i referohet postzgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009, duke thënë se në vitin 2009 Kolegji Zgjedhor bëri një padrejtësi flagrante, në gjykimin e ankesës së opozitës mbi refuzimin nga KQZ për hapjen e kutive të votimit me kërkesën e dy anëtarëve. Rama nënvizoi se me vendimin e vitit 2009 gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor i hapën rrugën të gjitha të këqijave që i erdhën vendit nga ligjërimi i vjedhjes së votës. “Sot jemi dy vjet më pas. Vjedhja e votës është bërë këtë herë hapur, në televizor. Shkelja e ligjit prej KQZ-së për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në kryeqytetin e Shqipërisë, është parë nga miliona sy”, shkruan në letrën e hapur kreu i PS-së. Kryesocialisti Rama thekson në letër se “S’ka dyshim se një tjetër vulë e gabuar e Kolegjit Zgjedhor, do ta fuste Shqipërinë në një rreth kritik dhe integrimin e saj europian nën një pikëpyetje shumë të madhe. Shqipëria do të humbiste padyshim trenin e radhës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian”, tha Rama. Në pikëpyetjet që ngre Rama ndaj Kolegjit, ai vëren se “Mbetet për t’u parë deri në fund çfarë do të bëjnë gjykatësit tani që radha i erdhi ballafaqimit të Kolegjit Zgjedhor drejtpërdrejtë me rezultatin e rremë të prodhuar nga KQZ-ja”. Këtu Rama thekson në letrën publike se pikërisht “nga frika ose kurajoja e gjykatësve, nga pajtimi me të keqen a zgjedhja e duhur profesionale, nga një vendim i padrejtë apo nga një vendimmarrje e drejtë për këtë çështje, do të përcaktohet se si do të ndjehet e do jetojë çdo shqiptar paskëtaj, se si do të jetë qeverisja dhe opozita e vendit”. Lideri socialist bëri me dije se të gjithë shprehin mosbesim të madh tek Kolegji Zgjedhor, duke argumentuar se shumë syresh e kanë këshilluar të tërhiqen nga rruga e kërkimit të drejtësisë në dyert e Kolegjit. Në fund Rama e mbyll letrën e hapur drejtuar Kolegjit Zgjedhor duke nënvizuar se “e drejta që kemi me vete na detyron të trokasim në ato dyer, deri në fund të rrugës së hapur prej ligjit, duke dhënë një kontribut për drejtësinë dhe për shpëtimin e demokracisë”.


