“Sot jemi para një kërkese ankimore që kërkon vlerësimin e votave të kontestuara, por unë nuk e lidh këtë me nenin 138 të Kodit Zgjedhor. Pa ditur përse kërkohet të rivlerësohet fleta e votimit në kuti nuk përbën shkak të ligjshëm, që ato të rivlerësohen. Jemi para një argumenti logjik, ligjor, juridik”, tha Subashi. Ajo kërkoi provat për pretendimin e PD-së se nuk është bërë vlerësimi i duhur për votën. Këtu Subashi bëri me dije se ajo po ndjek me vëmendje çdo fjalë e çdo pikë të këtij procesi. “Unë i kërkova ankimuesit, por ai nuk dha asnjë argument se ku qëndron kontestimi në 26 kutitë. Asnjë argument për secilën nga fletët e votimit që kërkohen të rivlerësohen”, nënvizoi Subashi. Ndërkohë anëtari tjetër i KQZ-së, Klement Zguri mori fjalën duke theksuar se KQZ është e detyruar të vlerësojë çdo votë të kontestuar.


