Njëri pas tjetrit deputetët Pandeli Majko, Namik Dokle, Ermelinda Meksi, Pirro Lutaj e Taulant Balla, Valentina Leskaj e të tjerë theksuan se, kreu i KQZ-së Arben Ristani po futet thellë në gropën e nenit 24 në kodin penal. Në vijim u hodhën thirrje se në rast se zgjedhjet do të ishin fituar nga Partia Demokratike, KQZ as nuk do kishte marrë mundimin të mblidhej e jo më të shqyrtonte fletët e votimit të pavlefshme. Gjatë fjalës së tij Majko u shpreh se, “Sot po legalizohet vota që nuk është e jotja, duke u shkelur me të dyja këmbët ligji” Ndërsa kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela theksoi se raporti i vëzhguesve të OSBE-ODHIR ka implikuar Kryeministrin Berisha, madje tha ai qytetarët e nxorën atë në minorancë. Më tej u theksua se Berisha po vret ëndrrën për demokraci, por u shtua se socialistët janë të vendosu të mbrojnë votën e lirë.


