Tiranë | Arvizu-Topi: të respektohet ligji në funksion të arritjes së standardeve demokratike

alt

Këtë apel Ambasadori amerikan e bëri gjatë takimit me Presidentin e Republikës Bamir Topi. Presidenca ka zbardhur takimin e Presidentit Topi me ambasadorin Arvizu i zhvilluar me urgjencë në mesditë. Sipas zyrës së shtypit të Presidentit, Ambasadori Arvizu shprehu mbështetjen ndaj Kreut të Shtetit për qëndrimet dhe apelet e tij institucionale si dhe inkurajoi palët të respektojnë ligjin në funksion të arritjes së standardeve demokratike dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura e kushtetuese, në mënyrë që ato të përmbushin detyrimet e tyre ligjore. Presidenti i Republikës, ndau me ambasadorin amerikan shqetësimin lidhur me situatën aktuale, të cilën po e ndjek me shumë vëmendje. Kryetari i Shtetit shqiptar, apeloi për vetëpërmbajtje, qetësi, maturi dhe ruajtje të rendit publik dhe theksoi domosdoshmërinë se “në këto çaste, duhet që palët politike të respektojnë institucionet, dhe vetë institucionet e pavarura duhet të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën”. “Shqipëria ka legjislacion, ka përvojë në trajtimin e çështjeve zgjedhore, ka të gjithë mekanizmat ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kështu që vetë institucionet përgjegjëse kanë rastin dhe detyrimin të dëshmojnë pavarësi, integritet dhe profesionalizëm në interes të qytetarëve, publikut dhe vendit”, theksoi Presidenti. Këtë shqetësim Presidenti Topi e ndau edhe më herët në takimin e veçantë me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Eugen Uollfarth, me të cilin diskutoi rishtas rreth situatës më të fundit politike në vend.

Advertisement