Tiranë | Berisha: kryebashkiakun e Tiranës do ta shpallë vetëm KQZ

alt

“Tirana u gdhi blu dhe ky është një shpërblim i madh. U jam mirënjohës qytetarëve të Tiranës, pasi 7 minibashki u fituan nga “Aleanca për Qytetarin”, deklaroi kryeministri. Ai e cilësoi këtë një fitore të shkëlqyer e të paprecedentë në këto 15 vitet e fundit. Këtë fitore në kryeqytet lideri demokrat ia atribuoi kandidatit Lulzim Basha, që e udhëhoqi fushatën e tij në shkallën më të lartë të qytetarisë. Duke anashkaluar komentin për humbjen e pjesës më të madhe të bashkive të vendit, që u ngjyrosën me rozë pas zgjedhjeve të 8 Majit, Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se qytetarët e Tiranës i dhanë votën e tyre koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Ndërkohë që Partia Socialiste akuzon komisionerët demokratë se po bllokojnë shpalljen e rezultatit në Tiranë, Berisha ritheksoi se “KQZ nuk mund ta shpallë rezultatin pa nxjerrë të gjitha rezultatet e tabelave të KZAZ-ve”. Ai sqaroi se janë komisionerët e PS-së në KZAZ-në 49, të cilët po bllokojnë nxjerrjen e tabelës përfundimtare e dorazi edhe po mbajnë peng rezultatin për bashkinë e kryeqytetit. Por, këtu kreu i PD-së tha se Basha e fitoi Tiranën dhe ai do të punojë për zhvillimin e saj bashkë me kryetarët e njësive fituese. I pyetur, nëse ishte kjo një shpallje e kryebashkiakut fitues, Berisha shpjegoi se nuk ka shpallur asnjë fitues, porse po referon vetëm rezultatet e KZAZ-ve, të cilat në ligjin elektoral janë autoriteti që shpall fituesin për minibashkinë. Por, Berisha sqaroi se kryebashkiakun e Tiranës do ta shpallë vetëm KQZ.

Advertisement