Tiranë | Shtyhet për nesër mbledhja e KQZ që vendos për kryebashkiakun e kryeqytetit

kqz1-300x186

Edhe pse ishte paralajmëruar një mbledhje e KQZ-së në orën 18.00 të së Shtunës, vetëm pak minuta më parë KQZ e anulloi, me qëllim për të shqyrtuar mirë shifrat e procesverbaleve të 11 njësive bashkiake të kryeqytetit dhe krahasimin e tyre me databazën e KQZ-së. Komisioni Qendror do ta mbajë këtë mbledhje në orën 10.00 të së Dielës. Ky shqyrtim bëhet për shkak të mospërputhjeve të rezultateve në procesverbalet përkatës me ata të databazës së KQZ-së. Sipas procesverbalit të njësisë 5, e fundmja njësi që mbajti ndezur tensionin e garës zgjedhore për Tiranën, kandidati i majtë Edi Rama kryesoi me vetëm 10 vota ndaj kandidatit demokrat Lulzim Basha. Kjo diferencë e vogël mes dy kandidatëve bën që sipas Kodit Zgjedhor, duhet që KQZ-ja të vendosë për emrin e kryebashkiakut të Tiranës. Ndërkohë që selia rozë avancon Edi Ramën me pak vota në databazën e saj, selia blu nxjerr fitues po me kaq vota Lulzim Bashën. Është për këtë arsye, që KQZ do të jetë institucioni që do të shpallë fituesin e garës së 8 Majit, një garë që përtej të gjitha parashikimeve mori një kohë tejet të gjatë në numërimin e vetëm 485 kutive, një proces që u përmbyll vetëm sot pasdreke. Ndërkohë në të dyja selitë politike, festa e simpatizantëve është e dukshme, pasi secila palë feston fitoren e kandidatit të vet.

Advertisement