Tiranë | Presidenti Topi bën thirrje që populli të zgjedhë i lirë më 8 Maj

Friday, January 16, 2026

Presidenti Topi i ka kërkuar popullit që me verdiktin kushtetues të votës së fshehtë të zgjedhin të lirë, zgjedhje nga të cilat varet edhe e ardhmja e tyre dhe e mbarë Shqipërisë. “8 maji meriton të jetë një ditë normaliteti demokratik, një ditë kur qytetarët i gëzohen lirisë dhe e përdorin atë për të mandatuar institucionet e qeverisjes vendore. 8 maji meriton të jetë një ditë reflektimi e korrektimi për të gjitha gabimet e kaluara zgjedhore, një ditë që mbyll një kapitull tranzicioni dhe dëshmon se shoqëria shqiptare i ka pranuar dhe bërë të vetat vlerat e larta demokratike të familjes evropiane”, thekson presidenti në mesazhin e tij për qytetarët kushtuar ditës së zgjedhjeve. Dita e zgjedhjeve është ditë e qytetarëve dhe jo e militantëve partiakë, ndaj pres e inkurajoj partitë politike ta përdorin natyrën bipartiake të procesit administrues në dobi të interesave qytetare e publike, siç edhe inkurajoj median të informojë dhe ndikojë pozitivisht në transparencën e procesit. Kryetari i Shtetit ritheksoi se dita e zgjedhjeve është një ditë e qytetarëve dhe jo e militantëve partiakë. Këtu Presidenti Topi i inkurajoi partitë politike ta përdorin natyrën bipartiake të procesit administrues në dobi të interesave qytetare e publike. Ndërkohë Kreu i Shtetit ftoi edhe mediat që të informojnë dhe ndikojnë pozitivisht në transparencën e procesit duke e pasqyruar atë me vërtetësi. Duke e cilësuar si një ditë për të rritur përgjegjshmërinë e institucioneve në shërbim të demokracisë së votës dhe qytetarit, Presidenti Topi inkurajoi administruesit e votës, komisionet zonale zgjedhore që të ditën e votimit ta administrojnë në një atmosferë të qetë. “Pres që administrimi i votës të jetë korrekt dhe në kohë, që KQZ, komisionet e niveleve të dyta dhe grupet e numërimit të jenë zbatues të paanshëm të ligjit, që vëzhguesit vendorë e të huaj të ushtrojnë pa asnjë vështirësi funksionin e tyre”, tha Presidenti, duke ftuar edhe institucionet e rendit dhe sigurisë, prokurorinë, gjykatat dhe Kolegjin Zgjedhor, që të jenë aktivë dhe tërësisht profesionalë në përmbushjen e misionit të tyre ligjor. Sipas Presidentit Topi 8 maji është dita kur vendi është në provë, të gjithë shqiptarët, zyrtarët drejtues, institucionet dhe aktorët politikë e publikë janë në provë.

 
RELATED ARTICLES
- Advertisment -