Në mesazhin e tij, kreu i shtetit e cilëson këtë si një nga fitoret më të mëdha në luftën kundër terrorizmit. “Me lejoni t’ju përgëzoj për përmbushjen e misionit të vënies së drejtësisë në vend nga forcat amerikane me asgjesimin përfundimtar të Osama Bin Ladenit, duke arritur në këtë mënyrë shënimin e njërës prej fitoreve më të rëndësishme në luftën e gjatë e të vështirë kundër terrorizmit ndërkombëtar!”, thuhet në mesazhin që Topi i ka dërguar Presidentit Obama. Topi vlerëson dhe faktin se Shqipëria është rreshtuar në krah të aleancës dhe SHBA-ve për eliminimin e terrorizmit. “Si President i Republikës së Shqipërisë dhe në emër të mbarë popullit shqiptar, dëshiroj t’ju shpreh përgëzimet me të sinqerta për arritjen e këtij suksesi, që më ngazëlleu dhe në të njëjtën kohë me bëri të ndihem krenar që vendi im është rreshtuar përkrah aleatit dhe mikut më të madh të Shqipërisë: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit, që besoi në luftën pa kompromis kundër së keqes, kundër terrorizmit duke mbrojtur parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë anembanë botës si dhe vendosjen e sigurisë, paqes dhe qëndrueshmërisë në të katër anët e globit”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit. Pas urimeve, Topi shprehet se “Shqipëria do të vazhdoje të përmbushë me devotshmëri angazhimet e saj në kuadër të NATO-s duke dhënë kontributin e vet në sfidat e ardhme për liri, demokraci si dhe për të ndërtuar një botë akoma edhe më të mirë për të gjitha kombet e të ardhmen e tyre!”.


