Hetimet për Ivanoviç, e shoqja Milena dyshohet se bashkëpunoi në vrasje

Milena Bogdan fillimisht ishte vetë e interesuar të japë dëshmi në Prokurorinë e Kosovës për vrasjen e bashkëshortit të saj Oliver Ivanoviç. Por, më vonë, ajo u shpërngul në Beograd, ku edhe u punësua në zyrën e Kryeministres serbe dhe nuk erdhi në Kosovë për të dëshmuar. Së fundmi, televizioni publik ka publikuar të dhëna ku thuhet se Milena ishte rekrutuar nga shërbimi sekret serb dhe bashkëpunoi në vrasjen e bashkëshortit të saj. Prokuroria Speciale në Kosovë për këtë nuk ka informacione.

Vrasja e Oliver Ivanoviçit ka tërhequr vëmendjen e opinionit botëror dhe ndërkombëtar. Deri tani ishte e paqartë se kush kishte dhënë urdhër për vrasjen e liderit të SDP’së në veriun e Mitrovicës, Oliver Ivanoviç.

Advertisement

Televizioni publik në Kosovë ka cituar dëshmitë nga gazetarët hulumtues serbë të produksionit “Rekoshed’’ dhe ato të dëshmitarëve të ndryshëm, sipas të cilave Beogradi, nëpërmjet shërbimeve sekrete serbe, kishte vrarë Ivanoviçin.
Për më tepër, kjo ishte bërë në bashkëpunim me vetë gruan e tij, Milena Ivanovic, e cila ishte rekrutuar nga shërbimi sekret serb. Përveç gruas së tij, këtu ishte i përfshirë edhe Shefi i të Ashtuquajturës Zyrës për Kosovën nga qeveria e Serbisë, Marko Gjuriç.

Gazeta Express ka tentuar të hënën të kontaktojë me Milena Bogdan, por ajo ka refuzuar të flasë për këtë çështje. Ajo të shtunën ka shkruar pikërisht për këtë lajm, ku ka thënë se “shqiptarët dhe disa serbë po më sulmojnë, ashtu siç i kam sulmuar unë me deklaratat e mia”.

Deklarata

“Fakti që shqiptarët dhe disa “serbë” më sulmojnë në të njëjtën mënyrë se si i kam sulmuar unë me deklaratat e mia, kjo tregon se dikush është mërzitur shumë! Thjesht sulmet, kërcënimet, gënjeshtrat, janë të sëmura… Unë do të shkojë deri tek e vërteta, edhe nëse më vrasin!”, ka thënë bashkëshortja e Oliver Ivanoviçit.

Express ka kontaktuar edhe me motrën e Oliver Ivanoviç, Natasa Ivanoviç Ilic, por as ajo nuk dha asnjë koment për këto të dhëna të publikuara nga televizioni publik.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka thënë për Express se Milena Bogdan ende nuk është paraqitur për të dhënë dëshminë e saj.

Sa i përket publikimeve të fundit se ajo ka mundur të jetë bashkëpunëtore, si e rekrutuar nga shërbimi serb, për vrasjen e bashkëshortit të saj, Hoxha tha se nuk kanë prova e informacione lidhur me këtë.

“Nuk kemi prova lidhur me këtë çështje. Bashkëshortja e tij fillimisht ka qenë e interesuar vetë të japë deklaratë, por pastaj shkoi në Beograd dhe nuk u paraqit si dëshmitare”, tha Sylë Hoxha.

Oliver Ivanoviç sa ishte gjallë njihej si një nga zërat më kritikë të politikave të Beogradit dhe Vuçiçit.

Pas vrasjes së burrit të saj, Milena ishte larguar në Beograd nga Mitrovica dhe tani ka një punë në kabinetin e kryeministres serbe, Ana Brnabic.

Ivanoviç u vra më 16 janarit para zyrës së tij në veri të Mitrovicës, ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një veturë e djegur e cila dyshohet të jetë përdorur nga autorët e krimit./Opinion